Në kuadër të planifikimeve operative të ROADPOL, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor, njësitë policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan kanë intensifikuar kontrollet në rrugët e rajonit, me fokus të veçantë në përdorimin e rripit të sigurisë.
Sipas policisë, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, zyrtarët policorë kanë shqiptuar 32 gjoba ndaj pjesëmarrësve në trafik për mosvendosjen e rripit të sigurisë gjatë lëvizjes me automjet.
Policia rikujton se, bazuar në Ligjin për rregullat në trafikun rrugor, në automjetet për udhëtarë dhe në mjetet transportuese, shoferi dhe të gjithë personat që gjenden në mjet janë të obliguar të përdorin rripin e sigurisë.
Po ashtu theksohet se përdorimi i rripit të sigurisë është një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen e jetës në trafik, pasi në rast përplasjeje ai pengon hedhjen e personit jashtë automjetit dhe zvogëlon ndjeshëm rrezikun e lëndimit apo vdekjes.
Sipas ligjit në fuqi: Mosvendosja e rripit të sigurisë nga personat në automjet dënohet me gjobë prej 150 euro.
Nëse një person i mitur nuk e përdor rripin e sigurisë, përgjegjësia bie mbi shoferin, i cili dënohet me 200 euro gjobë, ndalim të drejtimit të mjetit për 3 muaj dhe 2 pikë negative.
Policia e Gjilanit ka bërë të ditur se kontrollet e shtuara do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në kuadër të operacionit ROADPOL, me synim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

