Pas një karriere të gjatë në shërbim të pacientëve, infermieri Ibrahim Robelli ka dalë në pension, duke përmbyllur një rrugëtim profesional të karakterizuar nga përkushtimi, humanizmi dhe kujdesi ndaj qytetarëve të Gjilanit.
Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij përmes një mesazhi emocionues në rrjetet sociale, ku e përshkruan të atin si një njeri që për dekada me radhë u shërbeu pacientëve me profesionalizëm dhe përkushtim.
Sipas saj, Ibrahim Robelli nuk ka ofruar vetëm kujdes shëndetësor, por edhe shpresë, mbështetje dhe ngrohtësi për mijëra pacientë, ndërsa ka qenë një koleg dhe mentor i respektuar për shumë punonjës shëndetësorë.
Ajo thekson se, krahas angazhimit profesional, ai ka qenë gjithmonë një baba i përkushtuar, duke i mësuar familjes vlerat e humanizmit dhe shërbimit ndaj të tjerëve.
“Sot nuk po festojmë thjesht përfundimin e një marrëdhënieje pune, por po nderojmë një jetë të tërë të mbushur me humanizëm, sakrificë dhe dashuri për njerëzit. Të urojmë pensionim të mbarë! Paç shëndet, jetë të gjatë dhe plot lumturi pranë familjes tënde që të do pafund!”, shkruan ajo në mesazhin e saj.
Pensionimi i Ibrahim Robellit shënon fundin e një karriere të gjatë në shërbim të qytetarëve të Gjilanit dhe fillimin e një kapitulli të ri në jetën e tij.
