SHËNDETËSI/Mimoza Kadriu dhe ekipi i QKMF-së mes nxënësve të Gjimnazit Shoqëror për “Tetorin Rozë”

GJILAN, 14 Tetor 2026 – Drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, Mimoza Kadriu, e shoqëruar nga ekipi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ka vizituar Gjimnazin Shoqëror në kuadër të aktiviteteve sensibilizuese për muajin “Tetori Rozë”.

​Vizita kish për qëllim ndërgjegjësimin e nxënësve dhe stafit arsimor mbi rëndësinë e parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.

Për drejtoreshën Kadriu, kjo vizitë solli edhe emocione të veçanta, pasi u rikthye në institucionin ku ka punuar më parë.

​“Ishim të ftuara në kuadër të aktiviteteve të Tetorit Rozë, të dedikuara për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e kancerit të gjirit,” është shprehur Kadriu.

Aktiviteti u organizua nga nxënësit e shkollës nën udhëheqjen e profesoreshës Besa Kqiku Rexhepi. Angazhimi dhe kreativiteti i të rinjve dëshmuan rëndësinë e përfshirjes së gjeneratave të reja në iniciativa që promovojnë shëndetin dhe kujdesin për jetën.

​Me këtë rast, drejtoresha Kadriu shprehu falënderime për mikpritjen dhe përkushtimin e treguar nga drejtori i shkollës, Ilir Vokshi, profesoresha Besa Kqiku Rexhepi, koordinatoria Njomza Hajrullahu, psikologu Fatlum Rrahmani, si dhe gjithë stafi e nxënësit e Gjimnazit Shoqëror.

​Në fund të vizitës u nënvizua mesazhi kryesor se ndërgjegjësimi shpëton jetë, ndërsa kontrolli i hershëm është kujdesi më i mirë për veten dhe familjen. / dita24h /

​

Shpërndaj me të tjerët