Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Nënkolonel Luan Keka, së bashku me stafin e tij, ka pritur sot në takim Komandantin e Regjimentit të Parë të Këmbësorisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Nënkolonel Arben Avdyli, i shoqëruar nga stafi i tij.
Gjatë takimit u diskutua për shënimin e Ditës së Forcës, gjendjen e përgjithshme të sigurisë në rajonin e Gjilanit, si dhe për raportet e deritanishme mes Policisë së Kosovës dhe FSK-së.
Të pranishmit vunë theksin te rëndësia e koordinimit, komunikimit dhe angazhimit të përbashkët ndërinstitucional.
Të dyja palët vlerësuan lart bashkëpunimin e ndërtuar deri më tani, duke nënvizuar se partneriteti institucional mbetet kyç në ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve.
Sipas njoftimit, takimi u zhvillua në frymën e respektit të ndërsjellë dhe gatishmërisë për të vijuar me koordinim të ngushtë në shërbim të sigurisë./dita24h/
