Malisheva ka vazhduar me formë të lartë në këtë fillim edicioni të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, duke mposhtur Gjilanin me rezultat 3:1 në kuadër të javës së katërt.
Ylli i ndeshjes me meritë absolute i takoi anësorit nga Azerbejxhani, Vusal Isgandarli, i cili dhuroi një spektakël personal duke realizuar të tre golat për skuadrën e tij.
Përveç marrjes së tri pikëve, Malisheva i shkaktoi Gjilanit disfatën e parë për këtë edicion. Golin e vetëm të nderit për skuadrën e Gjilanit e realizoi Oltion Bilalli.
Me këtë fitore, Malisheva ngjitet në kuotën e 10 pikëve pas katër xhirove të para (tri fitore dhe një barazim), duke marrë kështu e vetme kryesimin e tabelës në Superligën e Kosovës.
