SPORT/Rikthehet Drita, fitore me karakter në Klinë ndaj Dukagjinit

Drita i është rikthyer rrugës së fitoreve në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, duke triumfuar me rezultat 2:1 si mysafire kundër Dukagjinit në Klinë, në kuadër të javës së 7-të.

Ky rezultat shënoi njëkohësisht edhe disfatën e parë të Dukagjinit për këtë edicion.

​Ndeshja u zhbllokua në minutën e 34-të pas një aksioni shembullor prej vetëm tri prekjeve të topit: Liridon Balaj depërtoi rrezikshëm nga krahu i djathtë dhe dërgoi një harkim milimetrik për Blerim Krasniqin, i cili me saktësi e tundi rrjetën e njoftuesve vendas për 1:0.

​Në pjesën e dytë, gjilanasit dyfishuan epërsinë. Ishte minuta e 66-të kur, pas një topit të devijuar nga portieri Kenan Haxhihamza, mbrojtësi Besnik Krasniqi u gjend më i vëmendshmi nga afërsia për ta çuar rezultatin në 2:0.

​Vendasit nuk u dorëzuan dhe ngritën presionin, duke ngushtuar diferencën në minutën e 70-të me anë të Dionit Isufit, i cili realizoi me një goditje nga pozita ballore për 2:1.

Megjithatë, Drita menaxhoi me sukses minutat e mbetura për të marrë tre pikë të arta.

​Me këtë triumf, Drita ngjitet në kuotën e 11 pikëve,  duke pasur edhe një ndeshje më pak të zhvilluar, rezultat ky që rikthen optimizmin dhe shpresën në taborrin e bardhekaltërve për vazhdimësinë e kampionatit.

Shpërndaj me të tjerët