Java po nis me mot të ndryshueshëm në Kosovë, me diell, vranësira dhe rënie graduale të temperaturave, sidomos në mesjavë.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), gjatë kësaj periudhe priten edhe reshje të dobëta shiu në zona të caktuara.
Dita e hënë (21 shtator) do të jetë me diell e vranësira që vende-vende mund të sjellin shi të dobët, ndërsa temperaturat do të lëvizin nga 9 deri në 26°C me erë të lehtë veriperëndimore.
Të martën (22 shtator) pritet rënie e temperaturave deri në 17–20°C gjatë ditës, shoqëruar po ashtu me diell, vranësira dhe reshje të izoluara.
Ftohja do të thellohet të mërkurën (23 shtator), e cila do të shënojë ditën më të ftohtë të javës. Mëngjesi do të jetë mjaft i freskët me temperatura 3–7°C, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë 15–19°C.
Të enjten (24 shtator) moti do të jetë më i qëndrueshëm e pa reshje; ndonëse mëngjesi do të jetë sërish i ftohtë (2–6°C), gjatë ditës temperaturat do të ngrihen deri në 22°C.
Java do të mbyllet të premten (25 shtator) me diell dhe vranësira të shpërndara që pasdite mund të sjellin sërish shi të dobët lokal, me temperatura që do të kapin vlerat nga 20 deri në 24°C.
Nga IHMK bëjnë me dije se kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme, por mëngjeset e ftohta të mesjavës mund të ndikojnë te personat më të ndjeshëm ndaj uljes së temperaturave.
