Gjeneral Jashari uron Gjeneral Breuer për emërimin në krye të Komitetit Ushtarak të NATO-s

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka uruar Gjeneralin Carsten Breuer me rastin e zgjedhjes së tij në pozitën e kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, duke i shprehur urimet më të përzemërta për marrjen e kësaj detyre me rëndësi strategjike për të ardhmen e aleancës.

​Përmes një komunikate, bëhet e ditur se Gjeneral Jashari e ka vlerësuar këtë rol si një përgjegjësi dhe mundësi të veçantë për të kontribuar me profesionalizëm, përkushtim dhe integritet në realizimin e objektivave të NATO-s, si dhe në procesin e përafrimit të Republikës së Kosovës me aleancën më të madhe ushtarake në botë.

​Pranimi i kësaj detyre në një periudhë tejet të ndjeshme për sigurinë globale shihet si një mundësi e rëndësishme që, përmes vizionit dhe përvojës së Gjeneralit Breuer, të forcohet bashkëpunimi dypalësh, të ndërtohen partneritete afatgjata dhe të mbështeten përpjekjet për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht në Kosovë.

​Gjithashtu, në urim nëndohet se përvoja dhe njohja e drejtpërdrejtë e rajonit nga ana e Gjeneralit Breuer, përfshirë shërbimin dhe vizitat e tij të mëparshme në Kosovë, përbëjnë një bazë të fuqishme për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

​Në përmbyllje, Gjeneral Jashari i ka uruar Gjeneralit Breuer suksese, punë të mbarë dhe rezultate të larta gjatë mandatit të tij në krye të Komitetit Ushtarak të NATO-s, të cilin pritet ta fillojë zyrtarisht në verën e vitit 2027.

Shpërndaj me të tjerët