Komuna e Gjilanit ka nisur një fazë të re në menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e ambientit.
Kryetari i komunës, Alban Hyseni, ka njoftuar se pas vendimit të Ministrisë së Mjedisit, janë hapur dyert e deponisë sanitare në Velekincë për të gjithë personat fizikë.
Përmes këtij hapi, qytetarët tashmë kanë një adresë të saktë, të sigurt dhe plotësisht të ligjshme për t’i dorëzuar vetë mbeturinat e tyre.
Sipas njoftimit zyrtar, deponia do të jetë e hapur për qytetarët çdo të shtunë nga ora 08:00 deri në 16:00.
Çmimi për dorëzim është mjaft i përballueshëm, vetëm 10.31 euro për 1,000 kilogramë, ndërsa pagesat mund të kryhen ekskluzivisht vetëm me kartelë bankare.
Për shkaqe sigurie në zonën e shkarkimit, hyrja në deponi do të lejohet vetëm me mjete më të mëdha transportuese, si traktorë, kamioneta apo kamionë, si dhe me pajisje të përshtatshme mbrojtëse, duke ndaluar rreptësisht hyrjen e veturave të vogla.
Kryetari Hyseni ka thënë se Gjilani i pastër po shndërrohet në një realitet që po ndërtohet bashkërisht çdo ditë me qytetarët.
