Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se një LDK e bashkuar do ta rikthejë garën politike dhe shpresën në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur se sot është zhvilluar takimi i tretë i Shtabit të Madh të LDK-së në Gjilan.
“Sot zhvilluam takimin e tretë të Shtabit të Madh të LDK-së në Gjilan. Po punojmë për një LDK të bashkuar, e cila do ta rikthejë garën politike për rikthimin e besës dhe shpresës në vendin tonë, sepse Republika është atdheu ynë i përbashkët”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, rugovistët, të djathtit dhe besimtarët e Republikës duhet të bashkohen për t’ia larguar vendit, siç u shpreh ai, atributet më të këqija të këtyre gjashtë viteve të fundit.
Haziri theksoi se kjo rrugë do të ndërtohet bashkë me rininë, gratë dhe bashkatdhetarët.
“LDK do të funksionojë gjithmonë mbi parimin ku gratë kërkojnë e burrat implementojnë dhe ku të rinjtë kërkojnë, ndërkaq burrat e gratë implementojnë politika të përbashkëta”, u shpreh ai.
Në fund, Haziri tha se bashkatdhetarët mbeten kontribuuesit më të mëdhenj të Republikës dhe se bashkë me ta do t’i rikthehet Kosovës besimi, forma dhe shpresa.

