Afaristi i njohur gjilanas, Selver Xhelili, i cili prej dekadash operon me sukses në sektorin e turizmit në bregdetin shqiptar, po shënon një tjetër arritje në rrugëtimin e tij afarist.
Nga data 16 maj, Xhelili do të zgjerojë veprimtarinë e tij edhe në sektorin e tregtisë.
Përveç përvojës së gjatë në turizëm, ku ka fituar besimin e mijëra klientëve në Ksamil, Xhelili ka njoftuar hapjen e pikës së parë të rrjetit të tij të marketeve, të emëruar “Market La Luna”.
Kjo pikë e re vjen në një nga zonat më atraktive dhe më të vizituara nga turistët botërorë.
Një rrugëtim që nuk ndalet me Ksamilin
Përmes një njoftimi drejtuar qytetarëve dhe bashkëatdhetarëve, Xhelili është shprehur se ky është vetëm hapi i parë i një projekti më të madh.
Synimi i tij është shtrirja e këtij brendi edhe në qytete të tjera strategjike të Jugut të Shqipërisë.
“Pas Ksamilit, rrugëtimi ynë do të vazhdojë edhe në qytete të tjera të Jugut, si Saranda, Delvina, Himara dhe më gjerë,” ka bërë të ditur ai, duke premtuar shërbim cilësor dhe respekt maksimal për çdo klient.
Ky zgjerim i biznesit nga një sipërmarrës gjilanas dëshmon fuqinë e diasporës sonë brenda trojeve shqiptare dhe kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të zonave bregdetare përmes investimeve serioze dhe afatgjata.

