Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjilanit, Mimoza Kadriu Qerimi, së bashku me zyrtarë të tjerë komunalë, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve shëndetësore dhe sociale në Siouxland Community Health Center, në qytetin e binjakëzimit të Komunës së Gjilanit.
“Gjatë kësaj vizite u njoha nga afër me organizimin dhe funksionimin e sistemit të kujdesit parësor shëndetësor, me theks të veçantë në menaxhimin social të rasteve dhe mbështetjen për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, si fëmijët në përkujdesje alternative, viktimat e dhunës në familje, personat me varësi nga substancat, personat pa strehim si dhe emigrantët e refugjatët”, tha Kadriu.
Ajo theksoi se gjatë takimeve është diskutuar edhe mbi rolin e mjekëve familjarë, infermierëve praktikues dhe asistentëve mjekësorë në ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore, si dhe mbi rëndësinë e parandalimit, vaksinimit, kontrolleve sistematike dhe menaxhimit të sëmundjeve kronike.
“Vizita shërbeu si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim përvojash profesionale dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke marrë modele të avancuara të kujdesit të integruar shëndetësor e social, përdorimit të sistemeve elektronike shëndetësore dhe mbështetjes për grupet vulnerabël”, u
shpreh Mimoza Kadriu Qerimi.
Sipas saj, kjo përvojë përbën një hap të rëndësishëm drejt avancimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale në Komunën e Gjilanit, përmes partneritetit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.

