Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizitoi Sioux City Career Academy në shtetin e Iowa-s, një institucion i njohur për qasjen moderne në arsimin profesional dhe teknik.
Gjatë kësaj vizite, drejtori pati mundësinë të njihet nga afër me organizimin e akademisë, programet profesionale dhe mënyrën e integrimit të nxënësve në tregun e punës përmes praktikës profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë me bizneset lokale.
Në kuadër të kësaj akademie funksionojnë shumë drejtime profesionale, të cilat u ofrojnë nxënësve mundësi konkrete për aftësim dhe punësim.
Drejtori i DKA-së u njoftua me modelin e organizimit të kësaj akademie, me theks të veçantë në ndërlidhjen e arsimit me nevojat reale të tregut të punës dhe në përgatitjen e nxënësve për sfidat e së ardhmes.
Po ashtu, gjatë vizitës u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e arsimit profesional, me synim avancimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë.

