Sot Kosova shënon me krenari një nga momentet më të rëndësishme në historinë e sportit të saj, 10-vjetorin e anëtarësimit në FIFA.
Një dekadë më parë, Federata e Futbollit të Kosovës u bë anëtarja e 210-të e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror, duke thyer përfundimisht izolimin e gjatë dhe duke hapur një epokë të re për të gjithë sportistët tanë.
Ky përvjetor jubilar është një triumf i madh për futbollin dhe shtetin e Kosovës, i arritur pas një rruge të gjatë me sakrifica, përkushtim dhe besim të palëkundur.
Është një fitore që u takon të gjitha gjeneratave që mbajtën gjallë frymën e këtij sporti edhe në periudhat më të vështira të historisë.
Në këtë ditë festive, me respektin dhe mirënjohjen më të thellë kujtohet legjenda Fadil Vokrri, arkitekti i këtij rrugëtimi historik, si dhe të gjithë ata që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm që Kosova të jetë e barabartë me vendet e tjera në arenën ndërkombëtare.
Një mirënjohje e veçantë i adresohet edhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen dhe miqësinë e vazhdueshme ndaj futbollit tonë.
Sot, 10 vite pas atij momenti emocionues, FFK është shndërruar në një institucion modern, me infrastrukturë në zhvillim të vazhdueshëm dhe me ekipe kombëtare e klube që përfaqësojnë me dinjitet flamurin e Kosovës në çdo cep të botës.
Ky jubile na shërben për të kujtuar se sa larg kemi arritur dhe për të vazhduar përpara me krenari e përgjegjësi drejt sukseseve të radhës.

