Ligjërata e praktika në Zhegër dhe Shurdhan
Njësia Sektoriale dhe Komunitet e Stacionit Policor në Gjilan ka realizuar një aktivitet të rëndësishëm vetëdijesues me nxënësit e klasave të para deri në të pestën në shkollat fillore “Bajram Curri” në fshatin Shurdhan dhe “Agim Ramadani” në fshatin Zhegër.
Përmes ligjëratës me temën “Siguria në Komunikacion”, nxënësit u njoftuan nga afër me rregullat themelore të trafikut dhe rëndësinë e sjelljes së sigurt gjatë lëvizjes në rrugë.
Përveç pjesës teorike, aktiviteti u pasurua edhe me një seancë praktike, ku nxënësit, nën udhëheqjen e zyrtarëve policorë, praktikuan kalimin e sigurt të rrugës, leximin e shenjave të komunikacionit dhe rregullat bazë që duhet të ndjekin këmbësorët.
Ky projekt synon rritjen e kujdesit tek të vegjlit dhe vetëdijesimin e tyre për rreziqet në trafik, duke kontribuar drejtpërdrejt në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për nxënësit e rajonit të Gjilanit.

