Komuna e Gjilanit ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të shërbimeve, duke lehtësuar ndjeshëm procedurat për regjistrimin e lindjeve.
Drejtori i Administratës së Përgjithshme, Elbasan Shabani, i shoqëruar nga zyrtari i IT-së, Leutrim Muji, kanë vizituar Spitalin Regjional të Gjilanit për të parë nga afër funksionimin e pilot-projektit të ri që modernizon këtë shërbim.
Gjatë vizitës, ata u pritën nga stafi mjekësor i repartit të Neonatologjisë, ku u njoftuan me sistemin e ri që eliminon nevojën e lëvizjes së qytetarëve nga një institucion në tjetrin.
Tashmë, të dhënat për fëmijët e porsalindur dhe prindërit regjistrohen në mënyrë digjitale përmes tabletit direkt në spital, duke u bartur automatikisht në sistemet shtetërore.
Ky integrim digjital lidh regjistrin civil, sistemin shëndetësor dhe skemat e benefiteve për fëmijë e lehona, duke eliminuar dokumentet fizike dhe pritjet e gjata në sportele.
Projekti i ri dëshmon përkushtimin e administratës lokale për një qeverisje efikase dhe në shërbim të plotë të nevojave të qytetarëve gjilanas.

