Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, Kryesuesja e Kuvendit Komunal në Gjilan, Krenare Latifi Kqiku, e shoqëruar nga përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, dega në Gjilan, kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve për të nderuar veprën e tyre heroike.
Gjatë kësaj vizite, u kujtuan me respektin më të lartë bijtë më të mirë të kombit, Shaban Ukshini – Komandant Terri, Sami Ukshini – Kingji, Bardhyl Osmani – Komandant Delta dhe Kastriot Arifi – Petriti, të cilët ranë për të mos vdekur kurrë në betejën e Rahovicës. Latifi Kqiku theksoi se liria dhe bashkimi kombëtar janë fryt i sakrificës së pashoq të këtyre dëshmorëve, para të cilëve përulemi me mirënjohje të përjetshme.
Kujtimi për ta mbetet i skalitur në historinë e Gjilanit dhe të mbarë kombit shqiptar, si një udhërrëfyes i vlerave të lirisë dhe nderit. Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

