Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka përmbyllur me sukses edicionin e radhës të klinikës ligjore “Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia”, përmes një ceremonie solemne ku u certifikuan 20 studentë të Fakultetit Juridik dhe Fakultetit të Shkencave Sociale.
Ky program ka shërbyer si një urë lidhëse mes njohurive teorike dhe përvojës praktike, duke u mundësuar studentëve të thellohen në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut nën udhëheqjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Dekania e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, vlerësoi lart përkushtimin e studentëve dhe rëndësinë e këtyre klinikave për përgatitjen e tyre profesionale, duke shprehur mirënjohje të veçantë për Prof. Dr. Dukagjin Lekën si nismëtar i këtij organizimi.
Rëndësia e bashkëpunimit ndërdisiplinor u theksua edhe nga dekani i Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, ndërsa përfaqësuesit e UNHCR-së dhe CRPK-së, Merita Ahma dhe Memli Ymeri, vlerësuan angazhimin e UKZ-së në forcimin e sistemeve të mbrojtjes për kategoritë e ndjeshme.
Përvojat e tyre pozitive i ndanë edhe studentët pjesëmarrës, të cilët theksuan se ky program u ka ofruar aftësi praktike të domosdoshme për karrierën e tyre të ardhshme.
Ceremonia u përmbyll me ndarjen e certifikatave, duke konfirmuar vazhdimësinë e UKZ-së në krijimin e kuadrove profesionale që adresojnë sfidat shoqërore dhe juridike.
