Në fshatin Llovcë të komunës së Gjilanit ka përfunduar me sukses aksioni për pastrimin dhe rregullimin e varrezave të fshatit, një nismë kjo që dëshmon përkushtimin dhe vullnetin e mirë të banorëve.
Përmes një bashkëpunimi shembullor, komuniteti ka arritur të ndryshojë pamjen e kësaj hapësire, duke treguar respekt të lartë për të kaluarën dhe njerëzit e tyre.
Këshilltari komunal nga radhët e LVV-së, Fadil Ademi, ka falënderuar përzemërsisht të gjithë bashkëvendasit që kontribuuan me mund, kohë dhe mjete financiare në realizimin e këtij projekti me vlerë.
Një mirënjohje e veçantë u është ndarë vullnetarëve Avni Rexhepi, Basri Murseli dhe Avni Hajdini, të cilët ishin në ballë të angazhimit gjatë gjithë procesit.
“Varrezat janë pasqyra e respektit për të kaluarën dhe njerëzit tanë. Duke i mirëmbajtur ato, ruajmë kujtimet, vlerat dhe dinjitetin e vendit tonë. Faleminderit të gjithëve për kontributin dhe bashkëpunimin! Zoti ju shpërbleftë!”, ka shkruar Ademi, duke vlerësuar se kur ka bashkim dhe vullnet, çdo punë bëhet më e lehtë dhe rezultatet nuk mungojnë.
