SIGURI/ Java e “nxehtë” në trafikun e Gjilanit, mbi 1500 gjoba dhe 42 shoferëve u ndalohet vozitja

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka intensifikuar kontrollet në terren gjatë javës së kaluar, nga data 8 deri më 14 maj 2026.

Në vazhdën e zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në rrugë, zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsej 1549 gjoba për shkelësit e rregullave të komunikacionit.

Përveç gjobave të shumta, policia ka marrë masa rigoroze duke u ndaluar drejtimin e mjetit motorik 42 ngasësve, të cilët kanë bërë shkelje më të rënda administrative.

Gjatë kësaj periudhe njëjavore, policia ka hetuar edhe 24 aksidente komunikacioni, prej të cilave 14 kanë qenë me persona të lënduar dhe 10 me dëme materiale.

Sa i përket specifikave të gjobave, janë ndëshkuar 24 shoferë për modifikim të automjeteve (xhama të errësuar me folie), 11 për mosvendosje të rripit të sigurisë dhe 5 të tjerë për përdorim të telefonit gjatë vozitjes.

Nisur nga këto shifra, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka lëshuar një apel të fuqishëm për të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të ulin shpejtësinë, duke kujtuar se ajo nuk është krenari, por shpesh shkaktare e tragjedive.

Policia kërkon respektim të plotë të sinjalistikës, semaforëve, vendosjen e rripit dhe kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve, duke ritheksuar se siguria në rrugë mbetet një përgjegjësi e përbashkët.

 

Shpërndaj me të tjerët