Bota akademike e rajonit të Anamoravës është pasuruar me një kuadër të ri shkencor të nivelit të lartë.
Agon Mahmuti, me prejardhje nga Kamenica, ka mbrojtur me sukses disertacionin e tij të doktoratës në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Sarajevës, duke fituar titullin Doktor i Shkencave në Matematikë për Arsim.
Tema e tij e doktoratës, “Teaching Number Sequences Based on Realistic Mathematics Education Using Information Technology”, u vlerësua lart nga komisioni profesional për inovacionin që sjell në metodologjinë e mësimdhënies.
Pas mbrojtjes, dr. Mahmuti shprehu mirënjohje të thellë për mentorët e tij, prof. dr. Amela Muratović-Ribić dhe prof. dr. Xhevdet Thaqi, si dhe për të gjithë anëtarët e komisionit për vlerësimin e tyre akademik.
Për këtë arritje ka reaguar edhe profesori i mirënjohur, prof. dr. Xhevdet Thaqi, i cili e cilësoi prezantimin e djaloshit nga Kamenica si të shkëlqyeshëm dhe dinjitoz.
“Agoni paraqiti rezultatet e tij shkencore në integrimin e matematikës, kontekstin real dhe programimin Python; duke dëshmuar përkushtimin dhe profesionalizmin e tij. Uroj që ky sukses të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të ndritur shkencor”, ka thënë prof. dr. Thaqi.
Ky avancim shënon një arritje të madhe për dr. Agon Mahmutin, duke e pozicionuar atë si një ekspert që ndërlidh shkencën e pastër të matematikës me teknologjinë moderne operative.

