Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi-Kqiku, ka marrë një besim të ri në nivel ndërkomunal, duke u zgjedhur Kryetare e Kolegjiumit të Kryesuesve të Kuvendeve Komunale të Kosovës.
Ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së fundit të këtij organi, ku Latifi-Kqiku mori mbështetjen e plotë të kolegëve nga komunat e tjera.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ajo ka shprehur mirënjohjen e saj për besimin e dhënë, duke falënderuar veçanërisht kolegët dhe drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
“Ky është një obligim dhe përgjegjësi që do ta ushtroj me përkushtim, në funksion të bashkëpunimit dhe avancimit të interesave të komunave tona,” ka shkruar Latifi-Kqiku, duke theksuar se fokusi i saj do të jetë forcimi i bashkëpunimit mes kuvendeve komunale për të mirën e qytetarëve.
Zgjedhja e saj në krye të këtij Kolegjiumi shihet si një mundësi shtesë për të avancuar reformat në qeverisjen lokale dhe për të koordinuar më mirë politikat mes nivelit lokal dhe atij qendror.
