POLITIKË / Gjilani mirëpret Kryetaren e Kuvendit dhe U.D. Presidenten, Albulena Haxhiu

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar për vizitën zyrtare të Kryetares së Kuvendit dhe Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Gjatë kësaj vizite në Gjilan, është zhvilluar një agjendë mjaft intensive që ka përfshirë takime me ndërmarrës në Bresalc, bashkëbisedime me vajza dhe gra për fuqizimin e tyre shoqëror, si dhe takime me profesoreshat e qytetit mbi politikat arsimore.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të kryetarit Alban Hyseni:

“Sot patëm kënaqësinë e veçantë të mirëpresim në Gjilan, Kryetaren e Kuvendit dhe Ushtruesen e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Bashkë realizuam një agjendë intensive dhe mjaft produktive, me qëllim bashkëbisedimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, ndërmarrësit dhe profesionistët e komunës tonë.

Vizitën e nisëm në Bresalc, ku vizituam fabrikën e qeseve dhe plastikës Pani. Pamë nga afër procesin e prodhimit dhe diskutuam me drejtuesit e biznesit për sfidat e përditshme të ndërmarrësisë lokale, si dhe për format se si institucionet mund të ofrojnë më shumë mbështetje për zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik dhe industrial.

Më pas, vazhduam me një takim jashtëzakonisht frymëzues me vajzat dhe gratë e komunës tonë. Gjatë këtij bashkëbisedimi të hapur, trajtuam çështjet që lidhen me fuqizimin e tyre në shoqëri, rritjen e hapësirave për vendimmarrje dhe rëndësinë e përkrahjes së vazhdueshme institucionale.

Vizitën e përmbyllëm në një ambient shumë miqësor, me profesoreshat e nderuara të qytetit tonë, me të cilat biseduam për politikat e qeverisjes lokale dhe asaj qendrore në trajnimin e mësimdhënësve dhe ngritjen e kapaciteteve.

Faleminderit Kryeparlamentares Haxhiu për vizitën dhe gatishmërinë për të dëgjuar zërin e qytetarëve tanë.”

 

Shpërndaj me të tjerët