ARSIM / Studentët dhe stafi i UKZ-së në vizitë studimore në Strasburg të Francës

Një grup prej 15 studentësh dhe profesorësh nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan kanë nisur një vizitë studimore njëjavore në Strasburg të Francës, një nga qendrat kryesore politike të Evropës.

Ky projekt synon fuqizimin e dimensionit praktik dhe ndërkombëtarizimin e universitetit. Delegacioni i UKZ-së, i prirë nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, gjatë ditës së parë vizitoi Parlamentin Evropian.

Aty u pritën nga eurodeputeti austriak Lukas Mandl (Doctor Honoris Causa i UKZ-së), me të cilin bashkëbiseduan për proceset vendimmarrëse dhe organizimin institucional evropian.

Gjatë qëndrimit në Parlamentin Evropian, studentët dhe stafi akademik morën pjesë në promovimin e librit të ish-kancelarit të Austrisë, Wolfgang Schussel, ku patën mundësinë të diskutojnë mbi perspektivën evropiane të Kosovës dhe raportet e BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Vizita u pasua me një takim në Qendrën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku u pritën nga drejtori ekzekutiv, Isuf Halimi. Në këtë takim u shqyrtuan sfidat aktuale të demokracisë dhe integrimit, si dhe u shpreh gatishmëria për bashkëpunime të ardhshme akademike mes dy institucioneve.

Dekani Selim Daku e vlerësoi këtë nismë si tejet domethënëse për studentët dhe falënderoi Rektorin e UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, si dhe eurodeputetin Lukas Mandl për mbështetjen e koordinimin profesional.

Një mirënjohje e veçantë iu adresua donatorëve të shumtë që mundësuan këtë udhëtim akademik, ku mbështetësi kryesor ishte kompania “Cure Medica”, e pasuar nga biznese e organizata lokale si Interex, FC Drita, Vali Ranch, Linda Group, e të tjerë.

Vizita e delegacionit gjilanas në Francë do të vijojë edhe në ditët në vijim me takime në institucione të tjera evropiane.

 

Shpërndaj me të tjerët