EKSKLUZIVE / Çmime marramendëse për talentet e teknologjisë, shpallet gara e madhe “Hackathon 2026” në Gjilan

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka hapur zyrtarisht ftesën për pjesëmarrje në ngjarjen më sfiduese teknologjike të vitit, “Hackathon 2026”.

Kjo garë intensive, e cila synon të nxisë inovacionin, mendimin kritik dhe bashkëpunimin ekipor, këtë vit vjen me një risi të veçantë, duke u hapur jo vetëm për studentët universitarë, por edhe për të gjithë maturantët e vitit 2026 që kanë pasion teknologjinë informative.

Gara do të jetë e ndarë në dy ditë akademike: më 1 qershor do të sfidohen maturantët, ndërsa më 2 qershor radha u takon studentëve.

Për të dyja kategoritë, sfida do të zgjasë pesë orë të plota të punës praktike, ku ekipet e përbëra nga tre anëtarë do të garojnë për krijimin e zgjidhjeve reale softuerike.

Përveç eksperiencës unike, organizatorët kanë siguruar një fond të pasur shpërblimesh për tri vendet e para në të dyja kategoritë, ku fituesit e vendeve të para do të shpërblehen me nga 900 euro, vendet e dytë me 600 euro, dhe vendet e treta me 300 euro.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë në grup prej tre personash deri më datën 29 maj 2026, duke dërguar një e-mail zyrtar tek adresa artan.dermaku@uni-gjilan.net.

Në aplikacion duhet të bashkangjitet vërtetimi i statusit të studentit apo kopja e letërnjoftimit për maturantët.

Lista përfundimtare e grupeve të pranuara së bashku me agjendën e detajuar të garës do të bëhen publike më 30 maj në kanalet zyrtare të universitetit.

 

Shpërndaj me të tjerët