EKONOMI / Parku Industrial në Gjilan, projekti jetik që do t’u shërbejë edhe Preshevës, Bujanocit e Kumanovës

Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan dhe njëherësh ish-drejtori i Kadastrës, Bekim Salihu, ka njoftuar se në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) është zhvilluar një takim i rëndësishëm pune.

Në këtë bashkëbisedim me ministren dhe përfaqësues të disa komunave, fokus i prerë ishte zhvillimi dhe menaxhimi i parqeve industriale dhe teknologjike në mbarë vendin.

Gjatë takimit u shqyrtuan specifikisht modelet e reja të menaxhimit të hartuara me mbështetjen e organizatës gjermane “German Economic Team” (GET), të cilat synojnë të garantojnë një administrim efikas të objekteve të bizneseve, hapësirave të përbashkëta dhe shërbimeve shoqëruese brenda këtyre zonave.

Salihu ka potencuar se parqet industriale janë projekte jetike për zhvillimin ekonomik, por për shkak të kompleksitetit të tyre, shkëmbimi i përvojave dhe diskutimi i hapur i sfidave mbeten thelbësore për realizimin e tyre me sukses.

Në këtë kuadër, ai ka vënë në pah se Komuna e Gjilanit, si qendra natyrore e Anamoravës, ka një nevojë emergjente për një park të tillë industrial për shkak të pozitës së saj të favorshme gjeografike.

Sipas tij, ky projekt madhor nuk do t’u shërbejë vetëm bizneseve dhe qytetarëve gjilanas, por do të jetë një urë e fuqishme ekonomike edhe për qytetarët e Luginës së Preshevës, Bujanocit, Medvegjës e deri në Kumanovë.

Në mbyllje të njoftimit, këshilltari komunal rikujtoi se përmes këtyre hapësirave strategjike synohet modernizimi i tërësishëm i sektorit industrial, fuqizimi i prodhimit dhe eksportit vendor për të ulur deficitin tregtar, si dhe tërheqja e investitorëve të huaj.

Ky hap pritet të ndikojë direkt në hapjen e qindra vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies së përgjithshme ekonomike dhe, mbi të gjitha, në reduktimin e ndikimeve negative në mjedis përmes përqendrimit të industrisë në zona të kontrolluara.

 

Shpërndaj me të tjerët