ARSIM / Zëvendësministri Kryeziu në Gjilan, vizitohen shkollat profesionale dhe diplomohet gjenerata e arsimit dual

Komuna e Gjilanit ka mirëpritur sot zëvendësministrin e Arsimit, Përparim Kryeziu, i cili i shoqëruar nga dy këshilltare politike, ka realizuar një vizitë zyrtare me fokus të veçantë në tri shkollat profesionale të këtij rajoni.

Delegacioni i ministrisë u prit nga Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Gjilan, Jeton Rexhepi, së bashku me stafin e tij udhëheqës.

Pas një takimi koordinues në zyrat e DKA-së, zyrtarët qeveritarë dhe lokalë nisën vizitat në terren për të parë nga afër investimet dhe infrastrukturën arsimore të Anamoravës.

Në kuadër të këtij agjende, zëvendësministri Kryeziu vizitoi fillimisht Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, ku u njoftua hollësisht me profilet ekzistuese, kabinetet e reja dhe projektet zhvillimore.

Më pas, inspektimi vazhdoi tek objekti i ri në ndërtim e sipër i shkollës së mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, ku u analizua dinamika e punimeve me synim përfundimin e projektit brenda afateve të kontraktuara.

Vizita u përmbyll në Shkollën e Agrobiznesit “Sahit Baftiu”, ku zyrtarët morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së dytë në drejtimin e Kuzhinierit, një model ky i arsimit dual që po vlerësohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme në Kosovë për lidhjen e drejtpërdrejtë të shkollës me tregun e punës.

 

Shpërndaj me të tjerët