SHKENCË / Punimi i fizikanit gjilanas Eros Halili pranohet në Kongresin e Fizikës Mjekësore në Spanjë

Fizikani i ri dhe tejet perspektiv nga Gjilani, Eros Halili, ka shënuar një arritje të madhe ndërkombëtare në fushën e shkencës, pasi punimi i tij kërkimor është pranuar për prezantim në Kongresin Evropian të Fizikës Mjekësore (ECMP 2026), i cili këtë vit do të mbahet në Valencia të Spanjës.

Ky sukses shënon një moment historik, pasi për herë të parë Republika e Kosovës do të ketë një pjesëmarrës dhe prezantues zyrtar në këtë kongres prestigjioz.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Halili përmes një njoftimi, ku u shpreh i lumtur që hulumtimi i tij shkencor me titull “Monte Carlo-based validation of electron beam dosimetry for clinical QA using FLUKA” do të jetë pjesë e kësaj ngjarjeje madhore, duke vendosur kështu hartën e Kosovës në elitën e fizikës botërore.

Kongresi ECMP njihet botërisht si platforma kryesore evropiane në fushën e Fizikës Mjekësore, duke përfaqësuar ngjarjen më të rëndësishme për profesionistët, mjekët dhe studiuesit që merren me teknologjitë e avancuara të mjekësisë.

Për fizikanin gjilanas, ky pranim përbën një vlerësim të lartë të punës së tij disavjeçare dhe një mundësi të artë për të shkëmbyer përvoja të drejtpërdrejta me ekspertët më të mirë ndërkombëtarë.

Me këtë rast, Halili ka shprehur një falënderim të veçantë për mentorin e tij, Prof. Asoc. Gazmend Nafezi, i cili e ka udhëzuar dhe udhëhequr me profesionalizëm përgjatë gjithë këtij procesi kompleks kërkimor.

 

Shpërndaj me të tjerët