DREJTËSI/ Pensionohet gjyqtari Nehat Idrizi, ish-kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Pas një karriere 16-vjeçare në sistemin gjyqësor të Kosovës, gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Nehat Idrizi, ka arritur moshën e pensionimit, duke përmbyllur një kapitull të rëndësishëm në shërbim të drejtësisë.

Me rastin e pensionimit, kryetari Totaj e falënderoi gjyqtarin Idrizi për kontributin e tij në sistemin e drejtësisë, duke i uruar shëndet, mbarësi dhe suksese në jetën pas pensionimit.

Nehat Idrizi iu bashkua Gjykatës së Apelit më 7 gusht 2015, ku ushtroi detyrën e gjyqtarit në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil.

Gjatë karrierës së tij, ai mbajti edhe funksionin e Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në periudhën 2016–2019, duke luajtur rol të rëndësishëm në drejtimin dhe zhvillimin e sistemit gjyqësor në vend.

Gjyqtari Idrizi është me prejardhje nga Zhegra e Gjilanit. Edhe para luftës ai ka qenë i angazhuar në detyra të ndryshme profesionale në rajonin e Gjilanit, duke dhënë një kontribut të çmuar në fushën e drejtësisë dhe në jetën institucionale të këtij rajoni.

Pensionimi i tij shënon fundin e një karriere të gjatë dhe të suksesshme, të karakterizuar nga përkushtimi profesional dhe shërbimi ndaj institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Shpërndaj me të tjerët