KULTURË / Pas katër dekadash kontribut, pensionohet veprimtarja e shquar e kulturës Shpresë Hajdari-Vokshi

Kolektivi i Bibliotekës së qytetit në Gjilan ka përcjellë sot me një ceremoni rasti kolegen e tyre, Shpresë Hajdari-Vokshi, e cila është pensionuar pas një karriere të gjatë dhe të pasur në shërbim të kulturës dhe qytetarisë.

Shpresa kishte filluar punën si librare në këtë institucion që në vitin 1981, si një vajzë 20-vjeçare, duke u bërë ndër vite një nga figurat qendrore të jetës publike në Gjilan.

Përveç punës në bibliotekë, ajo la gjurmë të pashlyeshme edhe në skenën artistike, ku ishte e angazhuar me role të ndryshme në Teatrin e Gjilanit dhe në ansamblet kulturore të qytetit.

Gjatë rrugëtimit të saj, ajo u shqua si prijëtare e aktiviteteve që preknin edukimin dhe kulturën, ndërsa gjatë kohës së okupimit shërbeu si anëtare e Komisionit komunal për kulturë e sport.

Përvojën e saj profesionale e shtriu edhe në pozita drejtuese e politike, duke shërbyer si Drejtore e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) dhe si asambleiste në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

Shtatë vitet e fundit të karrierës së saj, ajo i kaloi sërish në bibliotekë, në sektorin e përpunimit të librit.

Në këtë ditë të shënuar, ku u festua edhe ditëlindja e saj, Shpresë Hajdari-Vokshi u vlerësua si “zëri më autokton” i avancimit të vlerave qytetare në Gjilan, duke u uruar nga kolegët për një jetë të qetë e të lumtur pranë familjes.

 

Shpërndaj me të tjerët