Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Mimoza Kadriu, ka njoftuar një kthesë të rëndësishme që synon përmirësimin e gjithanshëm të sistemit shëndetësor komunal.
Përmes një thirrjeje të re të publikuar, synohet që qytetari dhe pacienti të mos jenë më thjesht marrës pasivë të shërbimeve, por të marrin një rol aktiv, zë dhe ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë në të gjitha institucionet shëndetësore.
Sipas drejtoreshës Kadriu, ky hap konkret do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve, fuqizimin e qytetarit në vendimmarrje, si dhe në rritjen e transparencës e llogaridhënies institucionale.
Ky vizion i ri synon të ndërtojë një sistem shëndetësor modern, efikas dhe plotësisht human për secilin banor të komunës.
Drejtoresha ka potencuar se ky model bazohet në besimin se vetëm duke dëgjuar me vëmendje qytetarin mund të ndërtohen shërbime më humane, më profesionale dhe më të dinjitetshme.
Ajo përfundoi duke thënë se ky është vizioni i qartë për një shëndetësi që funksionon ngushtësisht me qytetarin dhe ekskluzivisht për qytetarin.

