Komuna e Gjilanit ka bërë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës sportive për rininë dhe sportistët e saj. Kryetari i komunës, Alban Hyseni, ka njoftuar nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Ministrinë e Sportit për ndërtimin e stadiumit me bar sintetik për klubin e futbollit “Studenti” në Miresh.
Sipas kryetarit Hyseni, ky investim i shumëpritur po kthen në realitet një nevojë të kahershme të komunitetit lokal dhe do të shërbejë si një shtysë e madhe për zhvillimin e sportit në këtë rajon.
“KF ‘Studenti’, me mbi 50 vjet traditë në futboll, po merr vëmendjen dhe infrastrukturën që e meriton,” ka thënë ndër tjerash kreu i Gjilanit.
Me këtë rast, i pari i komunës ka shprehur falënderime për Ministrin e Sportit, Blerim Gashani, për mbështetjen e dhënë, si dhe për Drejtorin për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Haki Huruglica, për iniciativën e ndërmarrë.

