EKONOMI / Brendi gjilanas “Hector Kuzhina” pushton tregun zviceran, implementon projektin me 50 njësi banimi në Basel

Kompania private nga Gjilani, “Hector Kuzhina”, ka krijuar një brend me identitet të qartë që po operon me sukses të plotë në ligat profesionale të kësaj industrie.

Falë pasionit, përkushtimit të lartë dhe një pune të jashtëzakonshme me shumë djersë, ky brend vendor ka arritur të thyejë kufijtë kombëtarë, duke u shtrirë fuqishëm në tregun evropian.

Një nga projekte madhore të kësaj kompanie së fundmi është fillimi i implementimit të një marrëveshjeje gjigante në Basel të Zvicrës, e cila përfshin mobilimin e plotë të gjithsej 50 njësive të banimit.

Ky eksport tejet i rëndësishëm i produkteve “Made in Kosova” dëshmon për kapacitetet e larta dhe standardet evropiane që zotëron prodhimi vendor.

Lajmi është bërë i ditur nga inxhinieri i ndërtimtarisë Ilir Korça, pronar i kompanisë dhe ideologu kryesor i këtij suksesi, i cili këtë rrugëtim e udhëheq së bashku me bashkëshorten e tij, që me profesion është arkitekte.

Korça ka bërë të ditur se 7 njësitë e para të këtij projekti tashmë janë përfunduar me sukses të plotë. Ky konsiderohet vetëm si hapi i radhës përpara, pasi synimet e kompanisë mbeten gjithmonë edhe më të mëdha dhe më gjithëpërfshirëse.

Sipas drejtuesve, kjo marrëveshje me palën zvicerane është arritur pas një pune të gjatë dhe të palodhshme për të siguruar qasje në projekte të këtij niveli.

Si investitorët, ashtu edhe arkitekti i projektit janë zviceranë. Pasi kanë testuar në mënyrë të rreptë cilësinë e punës dhe detajet e prodhimit të kompanisë kosovare, ata kanë mbetur të mahnitur nga profesionalizmi i treguar, duke i besuar menjëherë këtë projekt madhor.

Përvoja shumëvjeçare me kompani që veprojnë jashtë Kosovës e ka ngritur “Hector Kuzhina” në një nivel krejtësisht tjetër profesionale.

Përveç se një biznes i suksesshëm, kompania sot funksionon si një shtëpi e madhe dhe strehë për njerëzit me integritet të lartë moral dhe profesional.

Qëllimi kryesor i ndërmarrjes ka qenë dhe mbetet avancimi i vazhdueshëm i stafit dhe ndjekja e teknologjisë më të fundit.

“Investimi i vazhdueshëm në staf dhe teknologji është misioni ynë, i cili ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e mëtejmë të këtij brendi. Ne jemi këtu si udhërrëfyes, por jo për të garuar”, ka thënë prerazi pronari Ilir Korça.

Sot, “Hector Kuzhina” nuk ka thjesht një emër të respektuar në Gjilan dhe rrethinë, por shtrirja dhe renomeja e saj ka kaluar çdo kufi rajonal, duke u përfshirë në të gjitha trojet shqiptare dhe tashmë duke korrur suksese të mëdha edhe në zemër të Evropës.

 

 

Shpërndaj me të tjerët