ARSIMI/ Delegacioni nga Gjilani vizitë zyrtare në Lezhë, thellohet bashkëpunimi mes dy gjimnazeve.

Vizitë zyrtare në Lezhë – Forcohet bashkëpunimi arsimor ndërmjet Gjilanit dhe Lezhës

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, së bashku me drejtorin e Gjimnazit “Zenel Hajdini” dhe një pjesë të stafit udhëheqës të shkollës, realizuan një vizitë zyrtare në Lezhë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe ruajtjes së traditës së binjakëzimit mes dy gjimnazeve.

Gjatë vizitës, delegacioni nga Gjilani u prit nga kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në Lezhë, Hasan Muça, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar, Antoneta Suta, si dhe drejtoresha e Gjimnazit “Hydajet Lezha”, Anila Nikollaj.

Përfaqësuesit e arsimit nga Gjilani shprehën mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë e treguar nga institucionet vendore të Lezhës.

Takimet e zhvilluara rikonfirmuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe pushtetit lokal në funksion të avancimit të arsimit dhe krijimit të mundësive më të mira për të rinjtë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua binjakëzimit ndërmjet Gjimnazit “Zenel Hajdini” të Gjilanit dhe Gjimnazit “Hydajet Lezha” të Lezhës, një partneritet që prej vitesh ka ndërtuar ura të forta miqësie, bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash.

Kjo lidhje përfaqëson jo vetëm bashkëpunimin ndërmjet dy shkollave, por edhe afrimin e vazhdueshëm të dy qyteteve përmes arsimit, kulturës dhe vlerave të përbashkëta kombëtare.

Kjo vizitë pritet të shërbejë si një nxitje e re për zgjerimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen, në dobi të nxënësve, mësimdhënësve dhe komuniteteve të të dyja vendeve.

Shpërndaj me të tjerët