Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë këtij vikendi vendi ynë do të përfshihet nga një mot me vranësira të shpërndara, intervale me diell, por edhe me mundësi për reshje lokale shiu ditën e diel.
Sipas sinoptikanëve, të shtunën pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira kalimtare. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6–8°C, ndërsa ato maksimale të ditës parashihen të arrijnë në 24–26°C. Gjatë kësaj dite do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit me një shpejtësi të lehtë prej 1–6 m/s.
Ndërkaq, të dielën parashihet një ndryshim i lehtë ku moti do të karakterizohet me vranësira më të dëndura dhe intervale me diell. Vranësirat vende-vende pritet të sjellin reshje të izoluara shiu. Temperaturat minimale do të shënojnë 6–9°C, ndërsa maksimalet do të prekin vlerat prej 24–27°C. Era do të ndryshojë drejtim duke fryrë vetëm nga verilindja, me shpejtësi që mund të arrijë deri në 1–11 m/s.
IHMK tërheq vërejtjen se indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i lartë, prandaj qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve të mesditës, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 16:00.
Edhe pse kushtet meteorologjike mbeten kryesisht të favorshme për aktivitete në natyrë, për ditën e diel këshillohet që me vete të merret një ombrellë për shkak të mundësisë së reshjeve lokale.

