SPORT / Talenti gjilanas i Servette-s, Florent Ramushi po shkëlqen në Zvicër

Kosova mund të bëhet shumë shpejt me një “gardian” të ri në repartin e mbrojtjes.

Florent Ramushi, djaloshi 19-vjeçar me prejardhje nga Gjilani, po shkëlqen në futbollin helvetik, duke u shndërruar në një lider të padiskutueshëm te skuadra e Servette U-21, e cila aktualisht kryeson tabelën në Ligën e Parë të Zvicrës.

Rrugëtimi i Florentit ka nisur që në moshën 6-vjeçare, kur hodhi hapat e parë në akademinë prestigjioze të Servette-s në Gjenevë,  një nga shkollat e futbollit më të vlerësuara në arenën ndërkombëtare.

Që nga ajo kohë, pasioni dhe talenti i tij i lindur për futbollin ranë në sy të trajnerëve. Sot, ai është shtylla kryesore e ekipit, ku gjatë këtij sezoni ka regjistruar 24 paraqitje dhe ka shënuar 4 gola, pothuajse të gjithë me kokë pas situatave të ndërprerjeve.

“Muri” prej 190 centimetrash që nuk njeh panik

I gjatë afër 190 cm, Florenti zotëron predispozita fizike dhe sportive ideale për një qendërmbrojtës modern.

Ai vlerësohet si mbrojtësi më i mirë i skuadrës falë disa veçorive specifike, ka një shkëputje të lartë dhe është mjaft agresiv në duele, nuk krijon panik në situata të vështira; di ta ndalë topin, ta lexojë lojën me zgjuarsi dhe të komandojë repartin nga prapavija.

Është pikë fikse e formacionit,  në të gjitha ndeshjet ka luajtur plot 90 minuta pa u zëvendësuar asnjëherë.

Përtej fushës, por po ashtu edhe në stërvitje e në lojë, 19-vjeçari përshkruhet si një djalosh i heshtur, i disiplinuar dhe një punëtor i palodhur.

Ndonëse performancat e tij të vazhdueshme kanë zgjuar interesimin e klubeve të ndryshme edhe jashtë Zvicrës, Florenti mbetet me këmbë në tokë. Për momentin ai është i fokusuar te Servette, pasi ndodhet në vitin e fundit të shkollës së mesme.

Me zemër nga Kosova, “xhevahiri” që pret ftesën

Me këtë ritëm dhe rritje profesionale, Ramushi pritet që shumë shpejt të kalojë në ekipin e parë të klubit frëngjishtfolës. Mirëpo, dëshira e tij e madhe mbetet veshja e fanellës së Përfaqësueses së Kosovës.

Me mungesat dhe nevojat që Kosova ka shpesh në fazën defensive, stafi teknik i “Dardanëve” do të bënte mirë ta mbante nën vëzhgim këtë “xhevahir” të ri, i cili në të ardhmen mund të shndërrohet në një mur të palëkundur për mbrojtjen tonë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët