ANALIZË JURIDIKE /A mund të formohet Qeveria pa President të zgjedhur? Profesori i juridikut shpjegon rrugën kushtetuese

Pas rezultatit zgjedhor të 7 qershorit 2026 dhe debatit për konstituimin e institucioneve, profesori i juridikut në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Flamur Hyseni, ka sqaruar rendin kushtetues për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës nuk paraqet pengesa për zgjedhjen e Qeverisë edhe në rast se funksioni i Presidentit ushtrohet nga ushtruesi ose ushtruesja e detyrës.

Hyseni thekson se pas konstituimit të Kuvendit mund të vazhdohet me mandatimin e kandidatit për kryeministër dhe më pas me votimin e Qeverisë, duke u mbështetur në dispozitat kushtetuese dhe në precedentët e viteve 2011 dhe 2021.

Sipas tij, kryetari ose kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës, ka kompetencën kushtetuese për të mandatuar kandidatin për kryeministër, çka dëshmon se mungesa e një Presidenti të zgjedhur nuk e bllokon funksionimin institucional.

Profesori i juridikut rikujton se neni 95 i Kushtetutës përcakton qartë procedurën për formimin e Qeverisë, ndërsa nenet 82 dhe 86 rregullojnë zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Ai vlerëson se zgjedhja e Presidentit mbetet një përgjegjësi e përbashkët e të gjitha forcave politike, pasi Kushtetuta parasheh afate të qarta dhe pasoja konkrete në rast të dështimit të zgjedhjes së kreut të shtetit.

“Nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme”, thekson Hyseni.

Sipas tij, rezultati zgjedhor duhet të përkthehet në institucione funksionale dhe pengesat eventuale nuk janë kushtetuese, por politike.

Shko mbrapsht

Mesazhi juaj u dërgua

Warning
Warning
Warning
Warning

Kujdes.

Shpërndaj me të tjerët