U qëllua nga snajperët serbë tri ditë pas lirisë, historia e ushtarit të UÇK-së që tronditi Gjilanin
Vetëm tri ditë pasi Gjilani po frymonte i lirë dhe populli po festonte largimin e makinerisë pushtuese serbe, një ngjarje e rëndë kishte tronditur qytetin në qershorin e vitit 1999.
Ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Milazim Hoxha – i njohur nga të gjithë si “Daja”, mbeti i plagosur rëndë nga plumbat e pabesë të snajperistëve serbë, të cilët ende fshiheshin nëpër qoshet e errëta të qytetit.
Ndonëse forcat e UÇK-së kishin hyrë fitimtare dhe trupat e KFOR-it kishin filluar vendosjen, data 19 qershor bëri që qyteti i sapoçliruar të ujitej sërish me gjakun e lirisë.
Nga një shtëpi serbe e shndërruar në fole snajperësh pranë fabrikës së “Goshës”, u shkrehën tre plumba mbi trupin e ushtarit të Brigadës 171 “Kadri Zeka” të Zonës Operative të Karadakut, duke shënuar një nga aktet e fundit dhe më të dëshpëruara të terrorit serb në këtë rajon.
Dëshmia rrëqethëse e Ismet Sylejmanit: “E kisha dajë, shok e bashkëluftëtar…”
Për këtë ngjarje të dhimbshme e plot emocione ka kujtuar nipi i tij, Ismet Sylejmani, i cili në atë kohë shërbente si zëdhënës i UÇK-së për Zonën Operative të Karadakut dhe reporter lufte. Për të, kryerja e detyrës zyrtare atë ditë kishte qenë një nga sfidat më të rënda të jetës.
“Nuk e kisha të lehtë ta njoftoja opinionin kombëtar e ndërkombëtar përmes TVSH-së, sepse e kisha edhe dajë, edhe shok, edhe bashkëluftëtar! Megjithatë, duhej të merrja forcë e ta kryeja detyrën e zëdhënësit,” rrëfen me emocion Sylejmani, duke sjellë në kujtesë komunikatën e atëhershme ku thuhej se kriminelët nuk pajtoheshin dot me realitetin e ri dhe vazhdonin të qëllonin mbi forcat tona.
Mrekullia e mbijetesës dhe mesazhi i krenarisë
Tre plumbat e marrë e kishin vënë në rrezik serioz jetën e luftëtarit, por falë ndërhyrjes heroike dhe profesionale të mjekëve të Spitalit Rajonal të Gjilanit dhe më pas atyre të Klinikës Universitare në Prishtinë, Milazim Hoxha arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda.
Plagosja e “Dajës” mbetet një dëshmi historike se liria nuk erdhi lehtë dhe se rreziku zgjati edhe pas kapitullimit zyrtar të Serbisë.
Sot, në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, familjarët, bashkëluftëtarët dhe mbarë Gjilani e kujtojnë me respekt dhe krenari qëndresën e tij, duke i uruar jetë të gjatë e shëndet njeriut që dha gjithçka për ditët e bardha të Kosovës.
