Automjeti që ishte raportuar si i vjedhur në fshatin Kufcë e Epërme të Novobërdës është gjetur, ndërsa hetimet e Policisë kanë sqaruar se rasti nuk përbën vepër penale të “vjedhjes së rëndë”.
Sipas Policisë, pas veprimeve intensive hetimore dhe në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, u siguruan prova që tregojnë se automjeti Audi me targa vendore ishte marrë në shfrytëzim nga një familjar i ankueses, pa dijeninë e saj të plotë.
Nga verifikimet dhe intervistat e zhvilluara rezultoi se raportimi si vjedhje kishte ndodhur për shkak të mungesës së informacioneve lidhur me përdorimin e automjetit.
Policia njofton se gjatë hetimeve janë sqaruar të gjitha rrethanat relevante të rastit, duke përjashtuar dyshimet për vjedhje.
