SPORT/ Gjilani rinovon me Bilallin, ndahet nga Prapashtica

Sport Club Gjilani ka zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit me futbollistin Oltion Bilalli, i cili ka nënshkruar kontratë të re që e mban në klub deri në qershor të vitit 2028.

Klubi ka bërë të ditur se marrëveshja konfirmon besimin e ndërsjellë mes palëve dhe është pjesë e strategjisë për të ruajtur bërthamën e ekipit, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese në sezonet e ardhshme.

“Oltion Bilalli do të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës kuqebardhë, ndërsa klubi vlerëson kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij brenda dhe jashtë fushës së lojës”, thuhet në njoftimin e SC Gjilanit.

Ndërkohë, klubi ka njoftuar edhe përfundimin e bashkëpunimit me Albin Prapashticën, pas skadimit të kontratës.

Prapashtica ishte pjesë e Gjilanit për dy edicione, ndërsa klubi e ka falënderuar për kontributin, angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kohës sa mbajti veshur fanellën kuqebardhë.

SC Gjilani i ka uruar Prapashticës shëndet dhe suksese në vazhdimin e karrierës së tij profesionale.

Shpërndaj me të tjerët