Arkitekti dhe projektuesi i parë i Projektit të Ndërtesës së Administratës së Përgjithshme të Gjilanit, Besnik Keka, ka reaguar lidhur me fatin e këtij projekti, i cili ishte dorëzuar më 17.06.2021 dhe ishte përzgjedhur si projekt fitues në kuadër të një konkursi të hapur.
Keka, i njohur në qarqet profesionale si një arkitekt dhe projektues me përvojë e vlera të larta, thotë se pavarësisht se projekti ishte shpallur fitues sipas procedurave të konkursit dhe ishte vlerësuar profesionalisht, ai nuk është zbatuar në praktikë, ndërsa më vonë është zëvendësuar me një projekt tjetër.
“Si autor, do ta vlerësoja shumë të njoftohesha mbi arsyet që kanë çuar në vendimin për moszbatimin e këtij projekti dhe zëvendësimin e tij, pavarësisht faktit se ai ishte shpallur fitues sipas procedurave të konkursit,” ka deklaruar Keka.
Ai thekson se kjo çështje nuk është vetëm profesionale, por ka edhe dimension personal, pasi lidhet drejtpërdrejt me punën, vizionin dhe përkushtimin e tij në hartimin e projektit.
“Edhe nëse versioni i përzgjedhur është më i mirë, gjë që mund të diskutohet profesionalisht, është e domosdoshme të shpjegohet publikisht pse një projekt i shpallur fitues është anuluar dhe zëvendësuar me një tjetër,” shton ai.
Keka kërkon transparencë institucionale mbi procesin, duke ngritur pyetjen se si një projekt i përzgjedhur në garë zyrtare, i paguar dhe i pranuar si fitues, më pas është anuluar dhe zëvendësuar me një zgjidhje tjetër arkitektonike.
Në reagimin e tij, ai shton se versioni i tij për ndërtesën ishte një trajtim i mirë arkitektonik dhe se mosrealizimi i tij do t’i mbetet një dëshirë e parealizuar dhe një merak personal.
“Qëllimi im nuk është me e ndalu zhvillimin e projektit,” ka theksuar Keka, duke nënvizuar se reagimi i tij synon vetëm të kërkojë transparencë dhe sqarim institucional për ndryshimin e projektit fitues.
Në fund, vlen të theksohet se Besnik Keka njihet si një nga arkitektët dhe projektuesit më të vlerësuar, me një profil të lartë profesional dhe autor i një sërë projektesh të rëndësishme arkitektonike.
Pikërisht për këtë arsye, reagimi i tij është parë si një kërkesë për transparencë institucionale dhe respektim të standardeve profesionale në trajtimin e konkurseve publike

