LAJM I HIDHUR/ Ndahet nga jeta haxhi Rexhep Kryeziu nga Dobërçani, kontribuues i madh për sportin

Ka ndërruar jetë haxhi Rexhep Hamdi Kryeziu, i njohur si Aga Rexhë, nga fshati Dobërçan, një emër i respektuar dhe kontribuues i madh për sportin në fshat.

Rexhep Kryeziu ishte futbollist për shumë vite i klubit Studenti, ndërsa më vonë u bë një nga mbështetësit më të mëdhenj të këtij klubi, duke e ndihmuar vazhdimisht, shpesh edhe me mundësitë e tij të fundit financiare.

Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në futboll, pasi ai dha mbështetje edhe për zhvillimin e volejbollit.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e kanë bërë të ditur familjarët përmes një njoftimi mortor.

“Me pikëllim të madh ju njoftojmë familjarë, miq dhe dashamirë se sot u nda nga jeta babai ynë, haxhi Rexhep Hamdi Kryeziu – Aga Rexhë. Pas la kujtime të shumta dhe vepra humane. Për kohën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë. Lusim Zotin që shpirtin e tij ta shpërblejë me xhenet”, thuhet në njoftimin e familjes.

Vdekja e haxhi Rexhep Kryeziut paraqet humbje për familjen, miqtë dhe komunitetin sportiv, ku ai do të kujtohet për përkushtimin, bujarinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj sportit.

Shpërndaj me të tjerët