Pas një karriere 44-vjeçare të mbushur me përkushtim dhe profesionalizëm, është pensionuar infermieri Ramadan Azemi, duke i dhënë fund një rrugëtimi të gjatë në shërbim të kujdesit shëndetësor parësor dhe qytetarëve të Gjilanit.
Ramadan Azemi e nisi karrierën e tij në vitin 1982 në ish-Shtëpinë e Shëndetit në Gjilan, ku punoi për një vit. Më pas, ai vazhdoi angazhimin në Ambulancën e Mjekësisë Familjare në Kishnapolë, ku për më shumë se katër dekada u dallua për profesionalizmin, përgjegjësinë dhe përkushtimin e tij ndaj pacientëve.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Azemi u vlerësua si një shembull i etikës profesionale, humanizmit dhe bashkëpunimit me kolegët, duke fituar respektin e pacientëve dhe të stafit shëndetësor.
Me rastin e pensionimit, menaxhmenti dhe stafi i QKMF-së “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan i shprehën mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë gjatë 44 viteve të shërbimit, duke e falënderuar për punën, përkushtimin dhe vlerat njerëzore që ka përcjellë ndër vite.
Përmes një mesazhi urimi, ata i dëshiruan Ramadan Azemit shëndet të mirë, jetë të gjatë, lumturi dhe shumë momente të bukura pranë familjes, duke e falënderuar për gjithçka që ka bërë në shërbim të institucionit dhe qytetarëve.
