Lidhja Rajonale e Futbollit e Gjilanit (LRFGJ) ka përmbyllur një vit jashtëzakonisht të suksesshëm, duke konfirmuar rritjen e vazhdueshme të futbollit të të rinjve në regjion.
Gjatë këtij edicioni janë organizuar me sukses garat në katër kategori të grupmoshave: U11, U13, U15 dhe U17, falë angazhimit të klubeve, trajnerëve, futbollistëve dhe zyrtarëve të garave.
Një nga risitë më të rëndësishme të këtij viti ishte zhvillimi i kampionatit në kategorinë U13 me një format të ri, në fusha adekuate dhe me porta standarde, pa mbajtjen e rezultateve zyrtare.
Ky model ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin teknik dhe edukativ të futbollistëve të rinj, duke e zhvendosur fokusin nga rezultati te mësimi, zhvillimi dhe kënaqësia për lojën.
Pas përfundimit të kampionateve rajonale, ekipet kampione përfaqësuan me dinjitet regjionin në garat e play-off-it. Shkolla e Futbollit Drita arriti deri në finalen e kategorisë U15, duke shënuar një sukses të madh, ndërsa Shkolla e Futbollit Kosova-V u kualifikua në fazën e dytë të play-off-it në kategorinë U17.
Përparim i dukshëm është shënuar edhe në identifikimin e talenteve. Gjatë grumbullimeve për grupmoshën 2011, dy futbollistë nga regjioni i Gjilanit u përzgjodhën nga trajneri Rainer Kraft për të vazhduar punën intensive në Kampin Nacional në Hajvali.
Një tjetër arritje historike ishte përzgjedhja, për herë të parë, e katër futbollistëve nga regjioni i Gjilanit në Përfaqësuesen e Kosovës U15, duke dëshmuar cilësinë dhe potencialin që ka futbolli i të rinjve në këtë pjesë të vendit.
Po ashtu, gjatë këtij viti janë certifikuar edhe 17 gjyqtarë të rinj, një hap i rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e futbollit në regjion.
Duke parë interesimin dhe rritjen e vazhdueshme të futbollit të të rinjve, LRFGJ bën të ditur se në edicionin garues 2026/27 garave të kadetëve pritet t’u bashkohen edhe tri klube të reja nga shkollat e futbollit, gjë që do të rrisë konkurrencën dhe do të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin e futbollistëve të rinj.
Në përmbyllje, LRFGJ ka shprehur mirënjohje për klubet, trajnerët, futbollistët, gjyqtarët, delegatët, mjekët sportivë, prindërit, sponsorët dhe të gjithë dashamirët e futbollit, të cilët me përkushtimin e tyre kontribuuan në realizimin e një viti të suksesshëm për futbollin e regjionit të Gjilanit.
“Së bashku kemi arritur shumë, ndërsa së bashku do të synojmë suksese edhe më të mëdha në të ardhmen”, thuhet në mesazhin përmbyllës të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit.
