Trajneri i portierëve nga Gjilani, Etrit Gagica, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, duke iu bashkuar stafit teknik të FC Ferizajt.
Gagica, i cili vetëm pak ditë më parë u largua nga KF Kika e Hogoshtit, nuk ka qëndruar gjatë pa angazhim, pasi është emëruar pjesë e stafit teknik të skuadrës ferizajase.
FC Ferizaj ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri nën drejtimin e kryetrajnerit Alban Dragusha, ndërsa pjesë e stafit teknik janë edhe ndihmëstrajneri Gramos Emini dhe trajneri i portierëve Etrit Gagica.
“Me energji të re, përkushtim dhe ambicie, futbollistët zhvilluan seancën e parë stërvitore, duke hedhur themelet për një sezon sa më të suksesshëm”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ndërkaq, Gagica është shprehur i lumtur për këtë hap të ri në karrierën e tij. Ai ka theksuar se ndihet i nderuar që është bërë pjesë e stafit teknik të Ferizajt dhe se do të japë maksimumin për të ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave për sezonin e ri.
Me përvojën e tij si trajner i portierëve, Gagica pritet të jetë një vlerë e shtuar për FC Ferizajn në edicionin e ardhshëm garues.
