SIGURIA/ Kërkohen pengesa të shpejtësisë në lagjen “Zabeli” në Gjilan

Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Fadil Ademi, ka drejtuar një apel publik lidhur me pasigurinë e madhe në komunikacion me të cilën po përballen banorët e lagjes “Zabeli i Sait Agës”.

Sipas tij, kohën e fundit janë pranuar ankesa të shumta nga qytetarët për rrezikun e vazhdueshëm në rrugët “Mulla Idrizi” dhe “Martirët e Gjilanit”, ku aksidentet e fundit vetëm sa e kanë shtuar shqetësimin dhe frikën në këtë zonë.

Ademi ka bërë të ditur se këto rrugë shfrytëzohen çdo ditë nga një numër i madh i nxënësve, fëmijëve dhe të moshuarve, ndërsa shpejtësia e lartë me të cilën po lëvizin disa shoferë po e rrezikon seriozisht jetën e tyre.

Përmes këtij reagimi, ai i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të shtojë patrullimet dhe kontrollet, ndërsa nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka kërkuar ndërhyrje konkrete përmes vendosjes së pengesave për uljen e shpejtësisë dhe sinjalizimit të nevojshëm rrugor.

Asambleisti ka bashkëngjitur edhe fotografi që dëshmojnë gjendjen në terren, duke theksuar se ky është një problem real që kërkon reagim të menjëhershëm nga autoritetet përgjegjëse përpara se të jetë vonë.

 

Shpërndaj me të tjerët