GJILAN/ Po vazhdon me sukses Kursi Veror Edukativo-Fetar për fëmijë dhe të rinj

Nën organizimin e Këshillit të Bashkësisë Islame (KBI) në Gjilan, nëpër shumë xhami të kësaj komune si dhe në hapësirat e Medresesë “Alauddin” (Paralelja e Ndarë në Gjilan), po zhvillohet me sukses Kursi Veror Edukativo-Fetar.

Ky aktivitet tradicional synon edukimin fetar, moral e kulturor të fëmijëve dhe të rinjve gjatë pushimeve verore.

Kursi po udhëhiqet nga një staf i përkushtuar i mualimeve të Departamentit të Gruas pranë KBI-së në Gjilan, si dhe nga imamët nëpër lokalitete të ndryshme:

Në Medresenë “Alauddin” – nga Mualimet e Departamentit të Gruas.

Në xhaminë e lagjes “Dardania” – nën përkujdesjen e imamit Shaban Murati.

Në xhaminë “Dheu i Bardhë” – nën përkujdesjen e imamit Bashkim Bajrami.

Në xhaminë “Mireshi 1” – nën përkujdesjen e imamit Arlind Salihu.

Në xhaminë te restorant “Garden” – nën përkujdesjen e imamit Kushtrim Ahmeti.

Në xhaminë e “Dereamahallës” – nën përkujdesjen e imamit Naser Halimi.

Në xhaminë e Zhegrës – nën përkujdesjen e imamit Arben Neziri, si dhe në xhami të tjera të komunës.

Përmes një programi të hartuar me kujdes, pjesëmarrësit kanë mundësinë të mësojnë leximin e drejtë të Kuranit Famëlartë, bazat e besimit islam (akidat), dispozitat themelore të fesë (fikhun), si dhe moralin e vlerat universale që kontribuojnë në formimin e një personaliteti të shëndoshë e të përgjegjshëm në shoqëri.

KBI në Gjilan ka shprehur një mirënjohje të veçantë për të gjithë imamët, mualimët, mualimet dhe prindërit që po kontribuojnë në mbarëvajtjen e këtij organizimi. Njëherazi, u bëhet thirrje të gjithë prindërve që t’i motivojnë fëmijët e tyre për t’u bërë pjesë e këtij kursi të dobishëm, duke u lutur që Zoti t’i shpërblejë dhe t’u dhurojë sukses e bereqet në rrugën e dijes.

 

Shpërndaj me të tjerët