MJEKËSI/ Realizohen për herë të parë operimet e rënda në tru me teknikën më moderne në Kosovë

Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme profesionale, duke realizuar për herë të parë me sukses operime neurokirurgjikale përmes teknikës së neuroendoskopisë.

Kjo konsiderohet si një nga metodat më moderne dhe minimalisht invazive në kirurgjinë e trurit në nivel global.

Më 6 dhe 7 korrik, kjo klinikë ka mirëpritur neurokirurgun e njohur nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos. Ai, në bashkëpunim të ngushtë me ekipin profesional të Klinikës së Neurokirurgjisë në Prishtinë, udhëhoqi realizimin e këtyre procedurave tejet të avancuara kirurgjikale.

Gjatë kësaj vizite dyditore u kryen me sukses dy ndërhyrje mjaft komplekse:

Operimi i një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe operimi i një tumori të ventrikulit të tretë të trurit me të njëjtën teknikë të avancuar.

Për realizimin e këtyre ndërhyrjeve u përdor edhe neuronavigatori, një aparaturë moderne që e posedon Klinika e Neurokirurgjisë, e cila mundëson orientim me precizion maksimal anatomik dhe rrit sigurinë gjatë operacionit, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

QKUK njofton se të dy pacientët e operuar tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po e vazhdojnë rikuperimin sipas planit mjekësor.

Përveç suksesit jetëshpëtues për pacientët, kjo vizitë pati edhe një vlerë të madhe edukative.

Gjatë operacioneve, mjekët neurokirurgë, anesteziologët dhe infermierët instrumentarë vendorë morën pjesë aktive në trajnim praktik, duke përfituar përvojë të drejtpërdrejtë për zbatimin e këtyre teknikave në të ardhmen.

Ky hap shënon një kthesë të madhe në avancimin e kapaciteteve të shëndetësisë kosovare dhe zgjerimin e shërbimeve që u ofrohen pacientëve tanë brenda vendit.

 

Shpërndaj me të tjerët