Shkolla Fillore “Liria” në Pogragjë ka përfituar një donacion prej 10 laptopësh nga kompania Celonis Labs GmbH me seli në Mynih të Gjermanisë, në mbështetje të avancimit të procesit edukativo-arsimor.
Sipas njoftimit të shkollës, ky donacion do të ndikojë në zhvillimin e aftësive digjitale të nxënësve, përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie, zhvillimin e programimit, fushave STEM dhe përmirësimin e kushteve për mësim dhe punë.
Një rol kyç në realizimin e këtij donacioni ka pasur bashkëvendësi Admir Jashari, ish-nxënës i kësaj shkolle, i cili përmes angazhimit të tij në Celonis Labs GmbH ka mundësuar sigurimin e laptopëve për shkollën ku hodhi hapat e parë të dijes.
Shkolla ka falënderuar gjithashtu Ismet Jasharin për kontributin dhe angazhimin e tij në koordinimin dhe dorëzimin e donacionit.
Në emër të nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit, drejtuesit e shkollës kanë shprehur mirënjohje për kompaninë Celonis Labs GmbH, si dhe për Admir dhe Ismet Jasharin, duke theksuar se mbështetja për arsimin dhe investimi në teknologji janë investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e brezave të rinj.
