Ka filluar zyrtarisht procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan. Ky vendim vjen në kuadër të zbatimit të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, sipas të cilit ky objekt do të shfrytëzohet për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të Odës së Avokatëve të Kosovës, e cila është njoftuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës se ka nisur transferimi gradual i të burgosurve nga Gjilani drejt institucioneve të tjera korrektuese në vend. Ky proces do të zhvillohet në faza, duke u bazuar në vlerësimet e sigurisë dhe kapacitetet akomoduese.
Për shkak të këtij ndryshimi të madh në Gjilan, Oda e Avokatëve ka lëshuar një njoftim me rëndësi të veçantë për të gjithë avokatët që përfaqësojnë persona që deri më tani kanë qenë të vendosur në burgun e Gjilanit:
“Njoftojmë të gjithë avokatët që përfaqësojnë persona të privuar nga liria që deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, të verifikojnë paraprakisht institucionin korrektues në të cilin ndodhen klientët e tyre, para ndërmarrjes së vizitave apo veprimeve procedurale.”
Ky udhëzim është bërë me qëllim të shmangen vonesat procedurale dhe të garantohet mbrojtja efektive e klientëve gjatë kësaj periudhe tranzitore, pasi të burgosurit e Gjilanit tashmë po shpërndahen nëpër qendra të tjera të Kosovës. Oda e Avokatëve ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë procesin dhe do të njoftojë për çdo zhvillim të ri rreth lirimit të plotë të objektit në Gjilan për llogari të Danimarkës.
